Dilemash përkundur-Rudina Muharremi Beja


Kuptuam se s’ jemi mosha që kemi,

as rrobat që veshim,

e as ajo që mundëm të mbledhim si milingonat që s’reshtin.

Po ç’jemi vallë?!

Ne, qenie t’ habitshme përkundur dilemash

Nga vijmë?

ku shkojmë?

Këtij universi,

udhëtarë pa busull

thellësive të pambarimta,

kryqëzimeve të errëta,

pragjeve të fshehta

Mrekullish e misteresh,

ku vetëm një besim i sinqertë,

guximi për të gabuar,

përulësia për t’u kthyer mbrapsht,

ca libra,

një grusht miqsh,

apo ndonjë këngë kënduar me zë të lartë,

mund të na shpëtojë

e degdisë në harrim!