Pafundësi-Vjollca Aliu


S’ka dert,

më urreni

për sinqeritetin

e mirësinë time!

Më shani,

unë hesht,

nuk përzihem me egjrën!

Më shikoni vëngër,

unë shikimin e drejtoj lartësisë!

Mallkimet, përbuzjet i duroj,

jam kalitur e shkëlqej

nga flaka e zjarrit.

Shigjetat, shpatat

më therrën në plagën që kam,

por shiu m’i shpërlau plagët,

e dielli ma ngrohu

zemrën e zhuritur.

S’paska më mirë

se ta kesh

ndjeshmërinë e bardhë në shpirt,

edhe kur lëndohesh

e nuk rrëzohesh

“fushëbetejave t’paqes”.

Sa më shumë plagë,

aq vragë t’pashlyeshme,

aq më shumë dhimbje,

aq më shumë

forcë e vullnet

për t’ecur

shtigjeve të ndritura,

“autostradave” t’pafundme.