Rrënjëve të Myzeqesë…:nga Spasse    Thanasi


RRËNJËVE TË MYZEQESË KU FUSHA DEHET DHE DETI TËRBOHET SI DHIMBJA E SHPIRTIT !….

Libri poetik “ Vajzë e Myzeqesë” i autores Donika Stasa Domi, derdh në shpirtë gjithë dashurinë me përqafime brigjesh dhe erë trëndeline…
Me “magjinë” e zemrës në puthje zjarri e ëndërra sirtaresh të trazuara kohërave, vajza e Myzeqesë derdh në gotën e shpirtit verë dashurie, verë të ëmbël deri në dehje prej prushit të syve me lulet në dritare ku dashuria “firmos”dehje agimesh e shkëlqime yjesh !..

……………………………..NGA SPASSE THANASI

Me penën e shpirtit, me ëndrra dashurie plot finesë, me bekim hyjnor për të zbuluar parajsën e zemrës, me dhimbjen e ikjes deri në çmenduri, me forcën e “fshehur” të dashurisë në mijëra zjarre ndezur, poetja Donika Stasa Domi, risjell oksigjenin e jetës me një fllad original në portën e zemrës.
⦁ “ Shkruaj se në shpirtë
Viteve mbeta fëmijë
E zemra dorën
S’ma le të qetë
Në ngasje vargjesh
Më shtyjnë pa zhurmë
Dhe melodimi i jetës
Shkruar përmbi fletë !….”
Si një hirueshe përrallash përshëndet hapësirat dhe përkund yjet e zjarrta me një simfoni bukurie në një çast gjithësie. Me buzëqeshje ylberesh ajo hap qiejve fustanin e ngjyrave dhe në brinjë të lagunës magjeps shpirtin me dashurinë e parë, me flokët harlisur në muzgjet e kristaltë të ndjenjave, me buzë puthje valësh në gjoksin e detit. Prej fushës ku ulet mirësia del me imazhin e bardhë dhe stërkalat e detit dhe si një vajzë e Myzeqesë, duket si hënëz plot bukuri :
⦁ “ Malli….
Morri mijëra trajta
Mijëra ngjyra
Plot dritë e reflekse
Deri në pafundësi…..
Ai….
Mbeti drithmë mbi buzë
Për dy sy
Si frut përmbi degë
Për një zemër të dashuruar
Në zjarr puthjesh përvëluar ….”
Dashuria rri “gdhendur” në çdo shpirtë që mbart jetë. Ajo pushton edhe qiejt si zog imagjinatash që arratiset në hapësirë dhe botës llafazane ja cjerr fytyrën duke trazuar stuhitë në nota pentagrami për të derdhur në shtratin e kohës çastin e qënies me mall të malluar. Si nëpërmjet fantazisë edhe GLOBI i tërë duket i “qendisur” me penë nga regëtimat e shpirtit me vargje të etshëm malli :
⦁ “ U lodha
E kjo
Nuk është ndonjë cudi
Ndaj mos më shiko
Sikur drejt teje
Vij nga ndonjë tjetër kohë
A planet i harruar….
Dashuri !…
O dritë ëngjellore
Magjepsjen fikson
O mjelmë e bardhë
E mijëra zemrave
Që endur shpirtërash
Ditën nis….
O dashuri !…
Peshën s;ta mat dot
Zbret prej legjendash
E prapë
Je magjiplotë !….
I gjithë shpirti i poetes në këtë libër plot vargje dashurie, është si një qiell me re të përflakura dhe qiri i tretur në muzg. Me një stil të koncentruar ndjenjash poetike, ajo di të mbaj pranë vetes copëzat e kaltërsive, urat e shpresës, simfonitë e ëndërrta, pasqyrat qiellore që dehin shpirtin, tufëzat e trëndelinave me krelë bukurie.

Me këngë në zemër dhe vrullin e dashurisë, ajo ngjan si priceshë e Babait dhe diamant i Nënës, rritur e lodruar në mes të Myzeqesë. Bashkë me udhën në shtegëtimet pa adresë, kërkon zogjtë e ëndërrimit dhe jetën ideale. Dhe kudo ngjan si një buzëqeshje e ngrohtë, si një petal i trëndafiltë mbi iluzionet e venitura, si “fond i pathënë” në faje njerëzore e brenga shpirti, si kristal loti në puthje perëndimesh, si vetmi në ofshama muresh, si shkëlqim yjesh dehëse, si flutur gëzimi në krahë të bardhë nëpër këngë ninullash, me shpirtë rebel në ngjyra të purpurta për të mrekulluar zgjimin mbi hojet e shpirtit !…
⦁ “ Do të pi sonte
Le të përmbyset bota
Nga verë e vjetër
Sa vetë lashtësia
Se përtej kësaj nate
Nuk më duhet tjetër
Veç magjisë që në zemër
Me puthje zjarri
Firmos DASHURIA !….”
Dhe më në fund i jep valëzim rrugëtimit të fjalëve, zgjon muza në vija horizontesh. Me poezinë e ylbertë pagëzuar me drithërima, me vargje rrezëllitëse si një dritë diellore, shkruan pambarim udhëve të jetës për të thënë fjalën e mirë, mesazhin më të bukur që ëmbëlton njeriun. Në “gjurmët e muzës” ngjan si nimfë hyjnore, si perëndeshë e zemrës në labirinthet e ekzistencës. Me rrezet e Diellit mbi Myzeqe, hap portën e shpirtit me copëza dashurie, grimcuar në qiell poeti…

⦁ “ Të kërkoja….
Gërmave të shkalafitura
e vijave të pabindura
të të ulja mbi vargun tim
frymë e valë dashurie
të më shkrije
ngurtësinë e fjalës
Renda….
vrapova pas gjurmëve të tua
dhe të gjeta
në çdo skutë të shpirtit
e çdo flegër e zemrës
kaq të bukur
kaq magjiplotë
e të të lëshoj
e di, që s’mundem dot !….”
Në këtë pranverë plot lule e gjelbërim, ky libër me rrezatime prej rrënjëve të Myzeqesë, sjell melodi fushe e këngë deti, ripërtërinë në shpirtë dashurinë e vetmuar, “deh” shpirtin me verë të kuqe si gjaku i zemrës për të thënë fuqishëm fjalën e poetit në një “dhimbje të trazuar” nëpër kohë…Donika ka akumuluar aq ndjenja e “tronditje shpirtërore”, aq sa “zgjon” gjithë MYZEQENË e artë me zërin e ngrohtë të vajzës që “qendis” bukurinë e dashurisë, lumturinë e shpirtit dhe “magjinë” e puthjes me buzë – valët e “dehur” nga vera e dashurisë….
E veçantë kjo shpalosje shpirti me vargje që shpërthejnë në muret e mendimit !.