Behar, bestar i besës-Zymer Mehani


Zymer Mehani
Behar, bestar i besës

(Dëshmorit Behar Begolli, në përvjetorin e rënies, 21 maj 1999)
1.
Behar, Feniks Lirie
Plumbat e pushkës sate
I ngule në gjoks
Të një shekulli të harbuar
E sërish i murove
Në bedene të kalasë shqiptare
Ata plumba
Natën e shndërruan në ditë
Skëterrën në dritë
E ti me fuqinë tënde
Me pushkën çlirimtare
Në tënden dorë
E këndove këngën e shekujve
Me zjarr në kraharor…
E unë poeti vetë
Poezinë po ta shkruaj
Se trimërinë tënde e ndjej
Në zemër e në t’mitë dej
Behar, bestar i besës
Yll që s’bie, as fikesh
Simbol i lirisë dhe i shpresës
2.
Behar,
Zoti të pat bekuar
Ta luash lojën tënde
Në zjarrin e flakëruar…
Behar,
Zoti të pastë shpërblyer
Që u hudhe në vallen
E Lojës së Pakryer…
3.
U betove
Në bukë e në kripë
Në gur e në dru
Se do ta vrasësh ujkun…
Pas betimit
Lindën të papriturat
Se furtuna s’pushonte
E ti deshe
T’i ktheheshe pranverës
Si zgalemi i erës
Edhe pse ike fare
Na solle Pranverën e Madhe…
4.
Ta shkruaj fjalën e vargun
O Lis i Malit Tim
Diellin e ke prekur
Ti, o majeprehtë
Se bukën nëna jote
Ta pat ngjyer n’kripë
Edhe ujin me grushta
N’krua e pate pirë
Se ti, Shqipe mali
Deshe t’rrosh i lirë

About Post Author