Grua, je shiu dhe dielli rrezeartë…Vullnet Mato


Vullnet Mato

GRUA, JE SHIU DHE DIELLI RREZEARTË…

Grua, je më e liga e më e mira nga të gjitha,

se kur gabimin kam pasur unë, e të drejtën ti,

fajin e kemi ndarë përgjysmë, nga dëshira,

të puthemi, sikur s’ka ndodhur gjë, me ne të dy.

Britmat i kemi shuar, mes dhëmbëve të njëri-tjetrit,

të dukemi në lagje, sikur bëjmë pëshpëritje lutjesh.

Shtratin kemi pasur, varkën e vetme, në mes të detit,

ku dallgët e jetës i kemi përzier, me furtuna puthjesh.

Me ke vështruar shtrembër, pa folur një javë bashkë,

kur ke pikasur, ndonjë buzagaz bukuroshesh të ëmbla.

Të kam përgjuar dy javë, kur dikush të vinte përqark

dhe prapë, si gjethe vjeshte, i kemi fshirë nga mendja.

Kur s’ke dashur kurrsesi, të shtosh fëmijë të tjerë,

kam përdorur padrejtësisht, egërsi në dashuri.

Por ka ndodhur, pas lindjes, së ngjizur me sherr,

beben kemi rritur bashkë, me shumë përkëdheli.

Me ke mallkuar si burrë pa kujdes, në të shpenzuar

por më ke lavdëruar më shumë, nga sa vlej si njeri.

Të kam sharë farefisin, për huqet që ke trashëguar,

dhe të kam ngritur lart, për kujdesin tënd me fëmi.

Kemi nxituar dikur, të shkojmë, të bëjmë divorcin,

dhe kemi grisur kërkesën, si të ishte letër ambalazh.

Natën më ke kërkuar buzët, të kam kërkuar gjoksin,

sikur pas kurorëzimit, jemi martuar rishtas bashkë.

Grua, je më liga dhe më e mira, nga gjithë gratë,

je për mua shi me breshër dhe diell rrezeartë!…

Jam për ty lumi, që shpërthej vërshimin me inat,

por jam dhe pishinë e vakët, ku ti noton përnatë…