Nga unë mos u ndaj-Petro Sota 


NGA UNË MOS U NDAJ
———————————–

Kjo ditë e bukur maji, magjinë të pruri,
Kur m’dole përpara, po të ndrinte nuri,
E të tundej gërsheti, si një kalli gruri,
Përpjetë hidhej fustani të dukej gjuri,

Me syrin gështenjë, vështrimet i vidhje,
Si drenushë çapkëne, e vetme bridhje,
Sa lezet të kishte, kur belin e dridhje,
Dhe hapat të sigurta çuditërisht i hidhje.

Kur hapat i hidhje, e ngrije fustanin,
Ecje duke tundur, sytë tek ty i mbanin,
Lehnin qentë në rrugë, si ujqër qanin,
Se takat e tua, sikur zgjuan shejtanin.

Ma bëre me sy, dhe nuk ndalove fare,
Me buzën përdredhur, si një sqimatare,
Po të ndiqnin shikimet, nga çdo dritare,
Hija e jote mbrapa, të vinte si manare.

Ishte kaq e bukur, sa i mahnitur po rrija,
Rrotullohej toka, aty në këmbët e mija,
Dielli më s’dukej, ndërsa unë po shkrija,
Nga etja që kisha, një det mund ta pija.

Mos vallë qe meraku, që për ty kisha,
Gjaku m’u ndez, shpirti ulërin si bisha,
Se me ty në ëndërr, kur një natë isha,
Hëna të qe futur, brënda tek këmisha.

Prandaj s’të dalloja, trupi po të ndrinte,
Ndoshta edhe hëna, diku poshtë flinte,
Dëshirë e çuditëshme, mua po më vinte,
Vështrimi i mbërthyer, në një pikë rrinte.

Eh, ky maji kur vjen, vjen vërtetë në maj,
Nga lulet e çelura, aromë do shpërndaj,
Sa t’rrëmben dashuria, me magjinë saj,
Më ndiq të thotë; – nga unë mos u ndaj.