NE JEMI KUJTESA JONË
Të kujtohet, i dashur?
Çdo mbrëmje venim në lojë kujtesën tonë;
pinim çaj ardhur nga malet e Lurës
të të parëve tu,
fuqia e fjalës e të cilëve
thyente gurët e murit të kohës.
Eeeh, i dashur,
mbrëmjeve ne venim në lojë kujtesën tonë
dhe në mungesë të saj
këmbenim veten me veten.
Kjo lojë ndonjëherë
zgjaste dhe të nesërmen në mëngjes
dhe unë të thoja:
ne jemi kujtesa jonë
që shkurtohet me net,
mëngjesi ngryste vetullat,
qeshjet tona zgjonin pranverën
e nguleshin nëpër ngjyra.
